Pamjet e dhunës të shfaqura gjatë protestës së tifozëve pak ditë më parë në kompleksin “Skënder Halili” kanë lënë një shije të hidhur tek pjesa tjetër e mbështetësve të kësaj skuadre prej shumë vitesh.
Një prej tyre është edhe ish-presidenti i Republikës dhe i këtij klubi, Bamir Topi, mbi të gjitha mbështetës i skuadrës bardheblu.
“Unë nuk jam në gjendje të them sot kush është tifoz i Tiranës. Dikur e thoja, por sot Tirana është një qytet i madh e heterogjen dhe është e drejta e gjithsecilit ta ndjekë Tiranën e të jetë tifoz i saj. Por jam i bindur për një gjë, qytetar i Tiranës së vjetër me siguri nuk është”, thotë Topi për TCH.
Sipas ish-presidentit Topi, kultura e dhunës tashmë është normale në çdo fushë, madje edhe ata që i drejtojnë skuadrat kanë të njëjtin mentalitet.
“Ai që ka një kulturë provinciale duhet t’i nënshtrohet kulturës së qytetit. Kjo vlen për politikën në Parlament, për stadiumet, për mënyrën e menaxhimit të klubeve, ku njerëz pa asnjë pasion për sportin vijnë me kulturën e dhunës dhe marrjes së aseteve”, shprehet Topi.
Megjithatë, Topi mendon se moslejimi i Partizanit në “Selman Stërmasi” nuk i rikthen dinjitetin Tiranës.
“Tiranës nuk i kthehet dinjiteti duke u marrë me kullën e barit, por duke marrë atë kështjellë morale që i takon sportit, për t’i kthyer Tiranës atë dinjitet që ka në historinë e vetë”, thotë Topi.