Neim Avdulaj ka ndërmjetësuar mes Fation Xhyliut dhe dy personave nga Laçi, të cilët kishin marrë përsipër të sulmonin blindat ku ndodheshin eurot. Ky takim sipas Xhyliut është kryer në një lokal pranë ish-fushës së aviacionit.
Pavarësisht se Xhyliu ia ka shpjeguar në një letër mënyrën se si lëvizin blindat dhe si mbahen lekët dhe me çfarë mund të hapen sa më shpejt kasafortat, njëri prej laçianëve ka dërguar fjalë disa ditë më vonë se s’mund të merrte pjesë në këtë grabitje pasi kërkohej nga policia. “…Xhyliu shprehet se personi me të cilin ka folur, pas disa ditësh nëpërmjet Neim Avdulaj, i ka bërë me dije se nuk do e realizonte do grabitjen, pasi ishte në ndjekje nga policia, shkruan Shqiptarja.com.
Për këtë arsye, shtetasi Neim Avdulaj është interesuar të gjente persona të tjerë. Sipas Xhyliut, Neim Avdulaj i kishte siguruar se personat që kishte gjetur ishin të aftë për të kryer punën. Kjo bisedë, sipas shtetasit nën hetim është bërë me shtetasin Neim Avdulaj në muajin gusht të vitit 2015. Neim Avdulaj i ka thënë se këtyre personave do t’i jepnin vetëm informacion, kur do të lëviznin paratë me makinat e firmës”, thuhet në dokumentin e prokurorisë. Gjatë kohës që ka punuar pranë shoqërisë në fjalë, shtetasi nën hetim shpjegon se kishte lidhje shoqërore me një punonjës tjetër të shoqërisë, shtetasin Ditjon Memlika. Ky i funidt e ka prezantuar me shtetasin Neim Avdulaj, me origjinë nga Ballshi. Këta shtetas e kanë takuar disa herë dhe gjatë këtyre takimeve është hedhur idea për të goditur eksortën që shoqëronte paratë për në Rinas.
Nisur nga kjo, shtetasi Fation Xhyliu shpjegon se i kanë kërkuar ndihmë Neim Avdulajt dhe ky i fundit fillimisht nuk ka konfirmuar se do të bashkëpunonte. Më pas, në qershor të vitit 2015, shtetasi nën hetim shpjegon se Neim Avdulaj, i ka prezantuar me dy persona, të cilët ishin nga Laçi. Këta persona janë interesuar për mënyrën si lëviznin blindat që transportonin paratë. Xhyliu sqaron se Neim Avdulaj nuk i ka prezantuar me emra me këta persona nga Laçi, por vetëm i ka thënë se ishin shokët e tij të mirë, dhe më pas i ka lënë të bisedonin mes tyre.
Pas disa verifikimeve në rrugë operative rezulton se Fation Xhyliu është aktualisht i papunë, por megjithatë bën shpenzime në vlera të konsiderueshme. Ai mendohet të ketë blerë një automjet, të cilin e përdor për të lëvizur në Tiranë, ku edhe jeton me qera. Automjeti i markës, “Audi” me targë AA437 NI, rezulton të jetë rregjistruar në emër të shtetasit Gentian Xhyliu, jeton jashtë shtetit dhe disponon një automjet tjetër në pronësi të tij.
Banes ku jeton me qëra Fation Xhuliu është në katin e parë të një pallati të vjetër, që ndodhet pas qendrës “Globe” në Tiranë. Nisur sa më lart janë marrë deklarime nga shtetasi Fation Xhyliu, fillimisht si person që ka dijeni për veprën penale, të cilat pas sqarimit të disa rrethanave që inkriminojnë deklaruesin, janë ndërprerë dhe më pas, këtij të fundit i janë marrë deklarime në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet. Në këtë cilësi, shtetasi Fation Xhyliu ka shpjeguar se ka punuar tek “Ro-Gat” deri në 28 dhjetor 2015. Më datën 3 dhjetor 2015 ky shtetas shpjegon se ka qenë në detyrë, por jo në eskortën e shoqërimit të të hollave.