Kryesore Bardhi i kundërpërgjigjet Bashës: Të tregojë kush i hyri mik që të...

Bardhi i kundërpërgjigjet Bashës: Të tregojë kush i hyri mik që të mos firmoste kundër Xhaçkës

Nuk ka vonuar përgjigja e Gazment Bardhit për akuzat e bëra nga Lulzim Basha në drejtim të tij, teksa kreu i PD-së zyrtare shprehu kundërshtinë për ridërgimin e një padie për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Pasi dorëzoi padinë, Bardhi kërkoi nga Kushtetuesja të vendosë në vend dinjitetin e përdhosur dhe kërkoi nga Basha të tregojë kush janë bashkëpunëtorët që i kanë ndërhyrë për ta shtyrë që të mos firmosë kundër Olta Xhaçkës.

“Zoti Basha, edhe pse nuk do doja të merresha me të, se do duhet të flasim për gjëra serioze dhe jo individ që u ka hyrë shumë në qejf të flasin me veten, zoti Basha nuk ka firmosur as herën e parë për mandatin e zonjës Xhaçka. Dhe arsyet ai i di fort mirë. Zoti Basha është nga ata deputetë që nuk ka pranuar të firmosë edhe mocioni n e 1/10 që në nisje të kësaj procedure. Për arsyet pyesni zotin Basha. Patjetër që unë i di. Kush janë bashkëpunëtorët e tij që kanë miqësi me Olta Xhaçkën dhe i kanë ndërhyrë zotit Basha për të penguar mocionin kundër Olta Xhaçkës”.

Me interes u pa nga gazetarët firma e dy deputeteve, Eralada Tase dhe Oriela Nebiaj në kërkesë-padinë e Grupit të PD, duke qenë se janë rreshtuar krah PD-së zyrtare, të drejtuar nga Lulzim Basha.

Bardhi e shpjegoi firmën e tyre si një zgjedhje për të bërë opozitë të vërtetë dhe për të mos mbrojtur korrupsionin e Olta Xhaçkës. Sipas Bardhit, kjo nuk do të thotë se Nebiaj dhe Tase do t’i bashkohen grupit parlamentar të drejtuar prej tij.

“Janë gjithsej 44 deputetë që e kanë nënshkruar. Lajmi sot nuk është a e ka firmosur Ori Nebiaj apo jo. Po ka firmosur. Ça ndryshon kjo në historinë e kërkesës në Kushtetuese. Keni ndonjë dyshim ju që Ori Nebiaj është deputete e opozitës. Patjetër që çdo deputet që e ndjen veten në opozitë dhe do të bëjë opozitë, ka firmosur dhe kërkesa është në Gjykatën Kushtetuese. Çdo kush tjetër që në nisjes ka dashur të marrë në mbrojtje korrupsionin e Olta Xhaçkës, as ka firmosur as ka lejuar ata që ka në influencë të firmosin. Ka firmosur edhe Monika Kryemadhi, nuk do i bashkohet grupit parlamentar. Mos zhvendosni vëmendje me lajme dite. Lajmi sot është që grupi parlamentar i PD ka kundërshtuar vendimin politik të Edi Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Olta Xhaçkës.”