Kryesia e PD-së po zhvillon një mbledhje këtë të premte. Kryetari i selisë blu, Lulzim Basha, ka thënë gjatë takimit se vullneti i demokratëve ka qenë vazhdimi i betejës ndaj asaj që ai e konsideron regjim.
Basha i ka bërë thirrje anëtarëve të Kryesisë që të përgatiten me të gjitha format dhe mjetet për të realizuar këtë përballje.
“Është e domosdoshme që të gjithë ne, nga Kryesia te Këshilli Kombëtar, të lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokratëve. Ata e dinë më mirë se ne se çfarë ka ndodhur në 25 Prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës. Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”, mësohet të ketë thënë Basha