Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi paraditen e së premtes se “qeverisja kriminale e Edi Ramës po vazhdon grabitjen e pasurive publike të vendit me anë të koncesioneve kriminale”.
“Gjithçka tjetër ka marrë fund me këtë qeverisje, vetëm vjedhja dhe grabitja e parave publike forcohet. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur historia e vendit. Dje u miratua në Landfillin e Republikës, në Kuvend, grabitja më spektakolare: koncesioni i rrugës Milot-Balldren. Ish-deputeti i PS, bashkë me dajën e tij, kanë marrë mbi 500 milionë euro në më pak se 1 vit”, tha Basha.
“Të gjitha koncesionet janë korruptive, me përfitim direkt të Edi Ramës dhe klientëve të tij. Formula e grabitjes është e thjeshtë: fryhet me disa herë kostoja e ndërtimit dhe ndahen fitimet e kostove të fryra me Edi Ramën dhe qeveritarët e tjerë”, shtoi Basha.
Kreu i PD-së radhiti më pas dëmet që po sjellin, sipas tij, ato që i quajti “politika kriminale të qeverisë”.
“Politikat kriminale të koncesioneve po sjellin dëme kolosale mbi pronën publike dhe paratë. Janë qindra milionë euro të shpërdoruara. Po bllokohen i politikave ekonomike të qeverisë. Koncesionet do të paralizojnë financat publike. Paratë e buxhetit për dekadat e ardhshme janë kontraktuar që tani. Këto kontrata do ta shndërrojnë qeverinë e ardhshme në zyrë pagesash që do të paguajë këstet e kontratave afatgjatë. Po shkatërrohet konkurrenca në treg dhe ekonomia e lirë”, u shpreh Basha.
Në fund, kreu demokrat deklaroi se që në ditën e parë të qeverisjes së saj, PD-ja do të ndërmarrë një “operacion të gjerë, të paparë, me shtrirje edhe në vende të tjera për hetimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë”.