Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar takimet kësaj herë në fasoneritë e Fushë-Krujës. Sipas kryeopozitarit gjatë kohës së pandemisë ka pasur mungesë mbështetje dhe ndihme nga qeveria për këtë sektor.
“Paga e premtuar nga Edi Rama është një tjetër dështim i tij të cilën shumica e punonjësve nuk e ka marrë. Pronarët janë detyruar të largojnë punonjësit nga puna ndërsa e ardhmja e afërt duket e zymtë për ta, pasi mungesa e ndihmës ekonomike po e çon biznesin e fasonerisë drejt mbylljes”, shkruan Basha.
Sipas kreut të PD-së nëse do të paguhej vetëm paga minimale për këtë kategori punonjësish atëherë kjo do t’i kushtonte shtetit 25 milionë Euro.
“Këto para që ju takojnë njerëzve Rama ua jep oligarkëve pasi ka shitur pronat e shqiptarëve dhe shtetin tek oligarkët dhe po bën tregti edhe me djersën e njerëzve. Edhe në këto kohë emergjence, Rama zgjodhi të ndajë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve me oligarkët duke i braktisur njerëzit kur ata kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetje”.