Kosova “SHBA-të nuk i mbajnë anën askujt”, Palmer: Kosovës i duhet një qeveri

“SHBA-të nuk i mbajnë anën askujt”, Palmer: Kosovës i duhet një qeveri

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia do t’iu rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, siç raporton Zëri i Amerikës, z. Palmer tha se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë.

Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

Zoti Palmer nuk deshi të flasë për afatet dhe lidhjen e mundshme të zgjidhjes së kësaj çështjeje me zgjedhjet presidenciale amerikane, por theksoi se “po përpiqemi të ndihmojmë palët që të gjejnë një zgjidhje”.

Ndërsa SHBA dhe BE kanë përcaktuar negociatorë të posaçëm për bisedimet Prishtinë-Beograd, Palmer tha se partneriteti transatlantik është shumë me rëndësi për t’u përballur me çështje sfiduese.

“Në Ballkan e kemi parë posaçërisht përgjatë viteve se kur Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja punojnë ngushtë në partneritet dhe frymë bashkëpunuese, mund të bëjmë gjëra shumë të mira”, tha z. Palmer.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor shprehu shqetësimin lidhur me fushatën dezinformuese të ndërmarrë nga Rusia dhe Kina, ndërsa nënvijëzoi se pandemia i ka shtuar këto shqetësime.

“Janë të paturpshme” në fushën e dezinformimit, posaçërisht Rusia e cila ka pasur njëfarë suksesi përgjatë viteve duke ngritur tensionet, mosbesimin, duke ngritur mure aty ku njerëzit duhet të ndërtojnë ura. Ky ishte një shqetësim për një kohë dhe mendoj se pandemia e COVID-19 i ka shtuar shqetësimet”.

Zoti Palmer ngriti edhe çështjen e cilësisë së ndihmës së ofruar nga Rusia dhe Kina në rajon, një pjesë e së cilës tha ai, madje nuk është as ndihmë por tregti. Ndërsa theksoi se ndihma e ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për këto vende lë nën hije çdo gjë që Moska apo Pekini kanë ofruar.

“E kuptojmë vlerën e diplomacisë publike të avionëve me flamuj në bisht, që aterrojnë në fazat e hershme të krizës dhe shkarkojnë pako. Nganjëherë nuk ka rëndësi se çfarë ka në ato pako. Ka rëndësi demonstrimi i dukshëm i mbështetjes dhe për të krijuar argumentin se përgjigja nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, nuk ishte e shpejtë sa duhet”, tha i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.