Në 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore, dhe ky fakt tashmë duket se është pranuar edhe nga vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Në një konferencë për mediat në mbrëmje, teksa kishte kaluar ora 22:00, lideri i opozitës joparlamantare dha përshtypjen e deklaratës së fundit në respekt të heshtjes zgjedhore që është ditën e shtunë, një ditë para së dielës së votimeve. Kryetari i Partisë Demokratike, i bëri thirrje të hapur qytetarëve që të mos kryejnë akte dhune, të refuzojnë çdo formë provokimi që sipas tij mund të vijë nga qeveria.
30 qershorin e quajti vdekjen politike të Edi Ramës, por e vetmja thirrje e tij ndaj qytetarëve, ishte ajo e bojkotit: Mos dilni në votime dha shefi i opozitës, teksa theksoi disa herë, se dhuna me dhunë “i jepet oksigjen Ramës”. “Të mos bien pre, refuzojeni, braktiseni’, tha Basha – duke kërkuar si të vetmen armë kundërshtie ndaj këtij procesi zgjedhor: Mospjesëmarrjen. Kjo kthesë e Lulzim Bashës nga thirrjet publike për të penguar me çdo formë procesin zgjedhor të 30 qershorin të cilin më herët e ka quajtur farsë politike, vjen pas thirrjes së fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që udheheqësit e opozitës t’i bëjnë thirrje publikisht përkrahësve të tyre që të distancohen nga dhuna dhe që 30 qershori, datë të cilën ndërkombëtarët njëzëri e kanë njohur, të jetë një proces i qetë dhe i paqtë.
Pjesë nga fjalimi i Bashës:
Rama një zombie politik. 30 Qershori hapi fatal politik që ccon drejt rrëzimit regjimin e Ramës. E kam thënë disa herë javët e fundit se 30 qershori do të jetë hapi fatal politik i regjimit kriminal në pushtet. Më 30 qershor do të fillojë spiralja e rrëzimit të këtij regjimi drejt vdekjes së tij. Më mirë se çdo gjë, këtë rënie të pashmagshme, këto ditë, e shpreh figura prej zombi politik, e cila bredh, prej javësh, nëpër Shqipëri, duke u përpjekur të ringjallet me humorin banal, me mashtrimet bajate, me kërcënimet paranojake. Ju ftoj ta shikoni mirë këtë fytyrë të përçudnuar nga pesha e krimit dhe e së keqes dhe të mos e harroni pamjen e saj. Neveria që sot shqiptarët ndjejnë për të nuk duhet të na bëjë ta harrojmë atë. Duhet ta fiksojmë mire fytyrën e së keqes, fytyrën e etjes së verbër për pushtet, fytyrën e tradhëtisë, sepse nuk duhet të lejojmë fytyra të ngjashme rë marrin në dorë fatet tona përsëri. Shpesh, kur vjen fundi e keqes shoqërore, njerëzit ndjejnë një lehtësim çlirues që i bën ata ta harrojnë shpejt atë që ishte dhe të mos reflektojnë se si erdhi dhe u forcua e keqja. Mungesa e reflektimit ka qenë një mallkim shoqëror për ne si shoqëri. Ne, rrallë, kemi reflektuar pas të këqijave, prandaj i kemi përsëritur ato.