Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas njoftimit të Ministres së Brendshme, Olta Xhaçka e më pas edhe konfirmimit nga kryeministri Rama, se rreth perimetrit të sigurisë së aeroportit do të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura.
Nga Vlora, Basha thotë se kjo Rama do ta sjellë vendin në kushtet e një grushti të vërtetë shteti, ndërsa thekson se përgjegjësi i vetëm për ngjarjen e ndodhur, sipas tij është kryeministri.
“Në fund të një takimi plot energji në Vlorë, dua t’i kujtoj shqiptarëve se njeriu që solli krimin në Qeveri e parlament dhe për të mbrojtur aferat e tij me krimin shkatërroi drejtësinë dhe Policinë shqiptare, është përgjegjësi kryesor për ngjarjen më të rëndë të sigurisë kombëtare, që në mënyrë të përsëritur ndodhi në Rinas.
Ndaj ndonëse dislokimi i Forcave Ushtarake, në mënyrë të antikushtetuese jashtëligjshme, është një provë e rënies së shtetit dhe kapitullimit të policisë së Shtetit.
Asnjë alibi dhe fshehje pas aferave të dështuara korruptive mes Edi Ramës dhe kompanisë koncensionare nuk do mbuloj përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tij.
Tani do ta sjellë vendin në kushtet e një grushti të vërtetë shteti për të dislokuar trupat tani që policia ka dështuar të kontrollojë sigurinë e rendin.
Ndaj rruga e vetme për të rikthyer sigurinë, jo vetëm në Rinas po kudo nuk është largimi i koncensionarit e policisë, por largimi i shkaktarit të kësaj ngjarje, Edi Ramës dhe bandës së tij në pushtet.”, tha Basha.