Lulzim Basha nuk reagoi për mesazhet e forta të zv/ndihmëssekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, por pas takimit me të para demokratëve të Elbasanit dha një përgjigje indirekte për zyrtarin amerikan, i cili e vlerësoi qeverisjen e majtë si legjitime.
“Këta nuk janë më shteti, këta janë antishteti. Këta nuk mbrojnë më ligjin, këta janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit. Këta nuk janë drejtësia, këta janë padrejtësia. Ndaj, është në dorën tonë t’i vendosim gjërat në vend”, deklaroi Basha.
Në kuadër të turit të takimeve që i paraprin protestës kombëtare të 13 prillit, Lulzim Basha u ndal edhe në Durrës, ku paralajmëroi arrestimin e kryebashkikut Vangjush Dako dhe ish-ministrit Damian Gjiknuri: “Vangjush Dakon e pret burgu. Edhe kryetarin e ri të Shtabit Elektoral të Partisë Socialiste, Damian Gjiknurin, burgu e pret edhe atë. Drejtësia e pavarur dhe burgu i pret të gjithë ata që menduan se mund ta kthenin Shqipërinë në zemër të Evropës në një biçim-republikë postsovjetike, me një palo kryeministër me 5 oligarkë që kanë kapur e zaptuar gjithçka dhe me 10 kriminelë”.
Për Bashën, opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm me largimin e Ramës, por duhet t’i japë fund fenomenit të politikanit-kriminel: “Le të bëjmë së bashku të mundur që mesazhi të oshëtijë po kaq i qartë sa oshëtiu sonte, nga kjo sallë: Rama ik! Për të afruar ditën dhe orën kur bashkë do të hapim rrugën e Shqipërisë Europiane”.