Kreu i PD, Lulzim Basha, në një bashkëbisedimin me gazetarët pasditen e së dielës, tha se e mbështet idenë e referendumit të propozuar nga presidenti Ilir Meta, ndërsa nënvizoi se kjo është një nga pikat e paketës së opozitës.
“Mbështesim idenë e referendumit, është një nga 5 pikat e platformës tonë. Demokracia direkte, për të cilën unë jam angazhuar”.
Më tej, kreu demokrat tha se Rama do të marrë një përgjigje mbarë popullore për nismat antidemokratike, siç i quajti ai që kapin Gjykatën Kushtetuese dhe marrin kompetencat e Presidentit.
“Tentativat për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendja e nismave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie, që po rri paligjshmërisht në pushtet me ndihmën e bandave kriminale, kompetencën e institucioneve të tjera kushtetuese, vërtetojnë faktin se për pushtet Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, siç ka bërë gjithçka. Por harron se do të ketë përballë një popull të tërë, do të ketë përballë një bashkim të vendosur dhe më të madhin në historinë e shqiptarëve, më të madhin në numër se asnjëherë më parë kundër tij dhe kundër planit ogurzi për të zhbërë themelet e bashkëjetesës kushtetuese demokratike. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur demokracinë e vendit. Në fillim të dhjetorit do të kemi gati propozimet ligjore për reformën zgjedhore, të cilat do të shpallen edhe publikisht. Ne nuk do të pranojmë zvarritjen e reformës zgjedhore si një alibi të Edi Ramës, por do ta miratojmë sa më shpejt, mundësisht, brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë menjëherë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë artikuluar si kusht për negociatat dhe si rruga e daljes së vendit nga kriza”, tha Basha.