Kreu i PD, Lulzim Basha do të mbledhë sot Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të partisë, takim që vjen pas kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve në 9 qarqe. Mbledhja me anëtarët e Kryesisë do të zhvillohet në orën 17:00, në selinë blu, ndërsa dy orë më pas kryedemokrati Basha do të takojë edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Në takimin e sotëm pritet të ketë debate pasi do të jetë edhe përballja e parë e Bashës me kritikët e tij, ish-Presidentin Bujar Nishanin dhe anëtarin e Kryesisë, Fatbardh Kadillin. Kujtojmë se që pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, drejtues të rëndësishëm të strukturave të kësaj force politike, kanë kërkuar me ngulm largimin e Bashës nga drejtimi i partisë.
I pari që e kërkoi dorëheqjen e Bashës ishte Kadilli, më pas ish presidenti Bujar Nishani dhe Arben Ristani. PD ka ankimuar rezultatin e 25 Prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh, ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. PD pritet të mbaje zgjedhje për kryetarin në muajin Korrik.