Kryesore Basha merr ‘goditjen’ e parë nga Meta, PD sulmon Celibashin: Po mbron...

Basha merr ‘goditjen’ e parë nga Meta, PD sulmon Celibashin: Po mbron oligarkinë

Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka pësuar goditjen e parë duke pasur vetëm një anëtar të komisioneve zgjedhore, ndërsa parashikohet që të mos ketë anëtarë në grupet e numërimit të votave për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit. Kjo për faktin se KQZ ka përcaktuar si partinë e dytë opozitare, Partinë e Lirisë së Ilir Metës.

Zëdhënësja e PD-së, Mirel Karabina ka reaguar ndaj një vendimi të marrë një ditë më parë nga KQZ, duke sulmuar kryekomisionerin Ilirian Celibashin.

“Pikërisht në këto momente Komisioneri Shtetëror Celibashi bën shërbimin e radhës ndaj oligarkisë politike kundër Partisë Demokratike, emëron Partinë e Lirisë të Ilir Metës si partinë më të madhe opozitare në shkelje të Kodit Zgjedhor, duke e interpretuar ligjin dhe jo duke e zbatuar atë. As më shumë e as më pak, i njëjti veprim konfuz i qëllimshëm për demokratët dhe elektoratin opozitar si në zgjedhjet e 14 majit kur Komisioneri Celibashi, rast i paprecedentë, përcaktoi “emocionalisht” dhe jo institucionalisht se kush është shumicë në PD dhe pengoi regjistrimin në kohë të saj për zgjedhjet vendore“, tha ndër të tjera Karabina.