Migjen Basha ishte një nga futbollistët e përzgjedhur për të dalë para gazetarëve, në konferencën për shtyp të ditës së dytë të grumbullimit të Kombëtares Shqiptare. Mesfushori foli me superlativa për atmosferën në ekip dhe konkurrencën pozitive, ndërsa pranoi se skuadra po punon për të marrë maksimumin nga dy ndeshjet e para.
Rikthehet grupi i 2016-ës. Si po përgatitet Shqipëria dhe cilat janë synimet për këto eliminatore?
Poër t’i rikthyer të gjithë është problem, pasi disa kanë lënë futbollin dhe disa kanë moshë të madhe, pro kemi disa ndryshime interesante. Atmosfera është mjaft e mirë dhe po përgatitemi seriozisht, duke i dhënë seriozitetin maksimal ndeshjes së parë. Edhe në Euro 2016 shkuam pasi morëm një fitore në ndeshjen e parë në Portugali. Është e vështirë, pasi kemi një kundërshtar shumë të fortë, por do të luajmë për 3 pikë.
Pas një viti të vështirë në 2018-ën, pse duhet të jemi optimistë për eliminatoret?
Ka qenë e vështirë veçanërisht në ndeshjet miqësore, pasi trajneri ka vendosur të thërrasë shumë emra të rinj, për të testuar lojtarët që mund t’i shërbejnë skuadrës. Në Ligën e Kombeve kemi fituar me fitore ndaj Izraelit, ndërsa kur luajtëm ndaj tyre në transfertë, humbëm në mënyrë tërësisht të pamerituar. Kemi peng ndeshjen në transfertë ndaj Skocisë, por këtu shkoi keq, pasi mbetëm me 10 futbollistë.
A ka realisht Shqipëria mundësitë të përsëritë suksesin e Euro 2016-ës?
Shanset janë për të gjithë skuadrat, pasi futbolli ka ndryshuar dhe nuk ka shumë diferencë mes ekipeve. Nuk duhet të nënvlerësojmë as ndeshjen ndaj Andorrës, pasi nuk mund të fitojmë me lehtësi. Na duhet edhe pak fat, por duhet të bëjmë më mirë, sepse më keq nuk mund të bëjmë me rezultatet.
Trajneri Panucci ka paralajmëruar disa ndryshime, a ka folur me ju në lidhje me këtë çështje?
Dje ishte seanca e parë dhe trajneri u mundua më shumë të shikojë formën e lojtarëve, ndaj sot besoj se do të futemi në detaje, për të mësuar se me çfarë strategjie do të përballemi me kundërshtarin.
Pas problemeve të ditëve të fundit, si është atmosfera në grup?
Vendimi i Lenjanit është personal, ndërsa për Thomasin ka vendosur trajneri, duke konsideruar një thyerje disiplinore. Gjithsesi kjo nuk duhet të ndikojë në sjelljen tonë në stërvitje dhe në fushë.
Konkurrenca në mesfushë është e madhe, pasi janë rikthyer shumë futbollistë…
Konkurrenca është gjithmonë e mirë dhe pozitive për çdo skuadër. Abrashi luan në Bundesligë, ndërsa Kaçe prej vitesh në Greqi, pastaj jemi edhe ne pleqtë, unë e Memushaj, por konkurrenca është pozitive.
A e vë në dyshim fanellën e titullarit konkurrenca, apo pranoni edhe stolin?
Unë dhe Memushaj kemi disa vite këtu dhe gjithmonë jemi sjellë në mënyrë korrekte, duke pranuar çdo vendim të trajnerit. Ne nuk presim të na sjellë kombëtarja klube si Reali apo Barça, por jemi vënë në dispozicion, që ta çojmë sa më lart emrin e saj.
Si duhet t’i ndihmoni lojtarët e rinj, që të integrohen në grup?
Duhet t’i ndihmojmë, duke u sjellë shumë me pozitivitet që në grumbullimin e parë, por edhe në vijim, në stërvitje e ndeshje. Synimi është t’u mësojmë disiplinën dhe motivimin tonë kur luajmë për këto ngjyra, pro edhe t’i inkurajojmë kur gabojnë.