“Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, jo më marksiste dhe staliniste, por diktaturë të kriminelëve. Kjo është arsyeja pse nuk gjejnë mundësi të rinjtë për punësim. Beteja që kemi nisur nuk është thjesht për largimin e Edi Ramës.”
Kështu ka thënë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Kopliku, ndërsa lëshoi një sërë akuzash ndaj kreut të qeverisë.
“Regjimi i Edi Ramës është një regjim i mbaruar politikisht, prandaj vërtitet si kufomë politike dhe mendon se do t’ua marrë mend shqiptarëve me batuta. Beteja jonë është shumë më shumë se largimi i tij.
Beteja jonë është për të shembur regjimin që ka ngritur në themel, që nesër të mos jenë më 5 oligarkë që bëjnë ligjin nga jugu në veri”- tha Basha.
Sipas Bashës, kryeministri ka ngritur tra të padukshëm kudo, njësoj si trau i Rrugës së Kombit, duke shtuar se qytetari i thjeshtë nuk mund të ecë përpara pa “ulur zverkun ndaj bandave”.
“Po nuk u bëre skllav i bajraktarit të Rilindjes nuk ecën përpara”, tha kreu demokrat.
Më tej Basha u ndal tek deklaratat e kryeministrit sipas të cilit ata me mesatare 6 nuk do të futen në universitet, dhe pyeti se kush është ai që vendos rregulla të tilla, duke shtuar se “ky është njeriu që u ka sjellë shqiptarëve banditët deputetë. Ky është njeriu që ka sjellë përdhunues në bashki”.