Politika Basha pas takimit me Metën: Shqiptarët do të shpëtojnë kur…

Basha pas takimit me Metën: Shqiptarët do të shpëtojnë kur…

Presidenti Ilir Meta priti sot me kërkesën e tij në Pallatin e Brigadave, kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar. Meta shprehu falenderimet për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19.

Meta u shpreh i shqetësuar për ngjarjen e fundit të shembjes së Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.

Sakaq, Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ndërkaq në një reagim në rrjetet sociale, pas përfundimit të takimit, ka reaguar kreu i PD Lulzim Basha.

Basha thotë se “shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët. Me çdo ditë që kalon, RAMAVIRUSI i bën dhe më keq njerëzve dhe vendit. Ai është sot armiku i mirëqenies së shqiptarëve”.

Kryedemokrati shkruan se “gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.