Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri edhe njëherë thirrje kreut të qeverisë, që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e vendit, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe të mbyllë bizneset me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura.
“Dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dua, po kështu, t’i bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues përmes virozës”, tha Basha.
Më tej, kreu i demokratëve u shpreh se shumë njerëz sot janë në vështirësi për shkak të mbylljes së bizneseve dhe vendeve të punës dhe për këtë arsye qeveria duhet të detajojë planin e saj ekonomik dhe të ndalë çdo shpenzim tjetër nga buxheti.
“Ndaj dua të përsëris përulësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari”, shtoi Lulzim Basha.
Gjatë deklaratës së tij, Basha nuk harroi dhe thirrjen drejtuar qytetarëve që të zbatojnë masat e distancimit publik, si një nga armët më të forta që kemi në dorë për të luftuar këtë virus