Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi për vdekjen e 73-vjeçares nga Durrësi si pasojë e koronavirusit. Duke shprehur ngushëllimet e tij, Basha thotë se ky duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë, për të rritur kujdesin dhe bashkëpunimin me stafin mjekësor.
“Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mija për familjarët dhe të afërmit e saj dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e në veçanti bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë. Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëherë nëse keni ardhur nga Italia, nëse keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore.
E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura, apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet ti ndihmojmë me bashkëpunimin tonë. Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë”, thotë Basha.