Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas përfundimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Poznan. Basha thotë se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë Eurot që BE i dha vendeve për projekte për vitin 2019.
Lideri demokrat e quan këtë një ndëshkim të qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar të lidhur me krimin, për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për sa kohë do jetë Rama në pushtet.
“Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019.
Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit europian.
Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”, shkruan Basha.