Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat pas protestës së zhvilluar sot në selinë e PD nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Para komunikimit me gazetarët, Basha ka zhvilluar një tur bashkë me mediat duke treguar dëmtimet brenda selisë së PD nga protesta.
Basha tha se ishte paralajmëruar pushimi i selisë së PD me forcë.
Basha tha se “Berisha ka pasur sot, de fakto ditën e fundit politike në Shqipëri”.
Lulzim Basha tha se Sali Berisha u braktis sot nga demokratët dhe se sot ka pasur ditën e tij të fundit politike në Shqipëri. Basha tha se asnjë prej objektivave të vendosura nga ish-Kryeministri nuk u realizuan.
“Zhvillime tragjike për demokratët dhe të shpreh keqardhje që prania juaj në selinë e PD u vonua për më shumë se 4 orë me shkakun e kryerjes së veprimeve hetimore.
Dita e sotme ishte paralajmëruar si një ditë dhune mes demokratësh nga Sali Berisha. Ishte paralajmëruar si dita e pushtimit me forcë e selisë së demokratëve, ishte paralajmëruar si dita për të kurorëzuar aksionin e tij personal.
Sikundër e kemi thënë, ajo që nisi me pretekstin e një lëvizje demokratizuese e tregoi sot fare mirë fytyrën e saj.
Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër përveç se për atë vetë dhe se ai nuk kursen askënd.
Lajmi i parë i mirë është braktisja totale, dëshpërimi për të cilën nuk ka nevojë ta komentoj. Për fat të mirë objektivat që i kishte vënë vetes nuk u realizuan.
Për fat të keq u përballëm jo thjesht me një përpjekje për ç’organizim, por me një përpjekje për të shkatërruar PD ndaj interesave personale të Sali Berishës. Dua të falenderoj edhe ata të cilët për disa javë apo muaj e ndoqën Sali Berishën të dëshpëruar nga masakra zgjedhore, sot të gjithë e dinë, kundërshtarët e mi, dua t’i falenderoj të gjithë që e kuptuan sot planin e vërtetë të Sali Berishës, fytyrën e tij të vërtetë që e tregon kjo seli e dhunuar.
Ajo që ka ndodhur është edhe më e qartë kur shikon se ata 500 apo 600 njerëz që erdhën, protagonist në fakt ishte një grup i ngushtë kriminelë, të armatosur të përgatitur për të dhunuar shtëpinë e demokratëve duke vënë në rrezik jetët e demokratëve me një plan të mirëmenduar dhe të ekzekutuar e frymëzuar nga Sali Berisha. Në një ditë tragjike si kjo ka edhe një dimension historik. Është dimensioni i ndarjes përfundimtare me Sali Berishën dhe berishizmin, që nuk pranon argumentin ndryshe, nuk pranon rregullat e partisë, por vazhdon avazin e vjetër, vetë voton, vetë numëron, vetë shpall rezultatt imagjinare”, tha Lulzim Basha.