Politika Basha takon të rinjtë dhe flet për “një qëllim djallëzor” dekurajimi

Basha takon të rinjtë dhe flet për “një qëllim djallëzor” dekurajimi

Në një takim që zhvilloi me finalistët e debatit kombëtar, organizuar nga Rrjeti i të Rinjve Europianë për Demokraci, Lulzim Basha foli për qëllime djallëzore që synojnë dekurajimin e rinisë shqiptare dhe largimin e saj nga vendi.

Duke zbehur entuziazmin rinor, synohet shfuqizimi i të rinjve, deklaroi kryedemokrati, ndërsa theksoi se nëse vjen në pushtet, ka një plan për fuqizimin e kësaj kategorie.

“Në planin tonë, mundësitë e Shqipërisë janë që çdo vit 10 mijë më të mirët të përfitojnë një stazh 1-vjeçar me një pagesë prej 300 mijë lekësh të vjetra në muaj, për të bërë urën nga bankat e shkollës te tregu i punës. Prioritet absolut në programin e Arsimit të lartë, është kthimi i arsimit të lartë në një platformë të lançimit të rinisë në tregun e punës. Sigurisht, për këtë duhet të ketë treg pune. Prandaj, prioriteti kryesor është ekonomia, është hapja e vendeve të punës. Nuk mund vetëm të flasim, duhet të veprojmë.

Qeveria nuk vepron ndryshe përveçse me buxhet, me politika me vizion, me politika me vendimmarrje fiskale dhe financiare, sa i përket praktikës në tërësi.

Në Europë, çelësi i suksesit të rinisë është që pothuajse gjysmat e fondeve i harxhon për praktikë dhe kjo është pjesë e Reformës së Arsimit, nuk është thjesht anulimi i ligjit të arsimit të lartë apo financimi i tarifave bachelor dhe master. Edhe kjo është plotësisht e mundur. Për të gjitha familjet me të ardhurat nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj mund të financohet 100%, subvencionohet 100% tarifa, pra që mos paguajë tarifë as për bachelor as për master”, iu tha Basha të rinjve.

Kreu i PD shtoi se për t’i dhënë ndryshimit formë dhe substancë nevojitet bashkëpunim me të rinjtë në mënyrë që t’i jepet fund tranziciont.

Kemi nevojë për ndihmën tuaj edhe para, por edhe pas 25 prillit, për ta kaluar këtë pengesë të fundit dhe për t’i dhënë fund tranzicionit. Fytyruat tuaja, sytë tuaj, shpirt juaj mendja juaj janë  portreti i fundit i tranzicionit. Do të bëj gjithçka që të jetë nesër portreti dhe i Shqipërisë, politike dhe ekonomike”, deklaroi lideri i opozitës.

Ai tha se kriza botërore e pandemisë paraqet dhe një mundësi për Shqipërinë pasi mund të bëhet një alternativë për të zhvendosur nga vendet evropiane zinxhirin e furnizimit duke sjellë investime të huaja në vend.