Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh për mediat pas takimit me raportuesit e KiE se rruga e vetme që vendi të ecë përpara janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë.
Basha i bëri thirrje Partisë Socialiste që të reflektojë sa nuk është vonë: “Të mbahen sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë. Në Shqipëri janë përvijuar dy qëndrime: qëndrimi i një shumice absolute, i opozitës që kështu nuk mund të vazhdohet; dhe qëndrimi i një pakice absolute që nuk do ndryshim”.
“Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie i paguajnë shqiptarët. Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. Nuk mund të vazhdohet më gjatë kështu. Sot është e rëndësishme të kuptohet se përse nuk zbatohet ligji. Pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës? Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarëve të kapur në afera korruptive nuk u hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund”, deklaroi Basha.