Mbledhja e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike në lidhje me aksionin opozitar vazhdon.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kreu i opozitës Lulzim Basha, mësohet të ketë deklaruar sërish se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Basha, gjithashtu, ka shtuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme, por për të arritur deri aty do të ketë edhe pak rrugë.
“Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën..- raportohet të jetë shprehur kreu i opozitës, duke theksuar se gjithçka ka ndodhur deri tani për frenimin e procesit zgjedhor kriminal një partiak, siaps tij, është meritë e drejtpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bashkuar, përtej bindjeve politike.
Basha ka përforcuar mesazhin kryesor të opozitës duke nënvizuar se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje”.
Gjithashtu, bëhet me dije se kreu I PD-së u kërkoi anëtarëve të këshillit kombëtar të Partisë Demokratike që në këtë periudhë të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal.
“Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fallco, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”- tha Basha, i cili nënvizoi se javët në vazhdim janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme në poltikën shqiptare.