Erla Mëhilli, ish-zëdhënësja dhe një prej personave më të besuar të Sali Berishës, gjatë gjithë viteve që ai drejtuar PD dhe Qeverinë, thotë se përpjekjet që po bëhen për bashkim të PD nuk janë të sinqerta nga palët dhe se bashkimi duket shumë i vështirë. Mëhilli nuk la pa përmendur edhe sulmin më 8 janar në PD, që sipas saj është një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe kapërcehet nga shumë demokratë.
“Pse tani na u kujtuan për një bashkim, para zgjedhjeve lokale. Ka një pjesë në PD që e duan bashkimin por ka një pjesë të tyre jo të vogël që nuk e kanë shumë të thjeshtë ta kapërcejnë situatën e deritanishme të përplasjeve dhe akuzave të rënda. Çfarë nuk kanë dëgjuar. Njëra palë që i thotë palës tjetër “llum” “Peng” “non-grata”. Nuk e kanë shumë të thjeshtë ta kapërcejnë edhe 8 janarin a famshëm. Pra edhe nëse do të ketë një bashkim, tek i cili unë dyshoj fort, që do të ketë një bashkim real. Do të ishte një bashkim mekanik, pragmatik dhe jo i vërtetë po të kemi parasysh edhe deklaratat e ndryshme që bëjnë deputetët nga të dyja palët. Unë kam pasur në studio nënkryetarin e parlamentit, z. Gjekmarkaj. Zoti Bardhi u shpreh dje që me Sali Berishën që ai është “non-grata” ai nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Mëhilli.
Mëhilli gjithashtu është kundër primareve që ai po zhvillon sot në Partinë Demokratike. Gjatë një intervistë në ‘Sot live në Shqipëri’ në “Report TV” ajo i ka cilësuar primaret si një humbje kohe për opozitën në këto kushte që ndodhet.
“PD ka disa vite që bëjnë procese të brendshme që i kanë marrë energji. Si një vend si ky i joni në një parti me kaq konflikte të brendshme mua më duket më shumë se do të zgjojnë inate dhe konflikte. PD nuk e ka luksin që të bëje primare, më duket si energji e harxhuar kot”, tha ajo.
Në fund gazetarja Erla Mëhilli e kishte edhe për premtimin e opozitës për protesta të vazhdueshme.
“Kanë premtuar protesta por s’po shohim. Dhe kjo e zhgënjen elektoratin. Fakti që nuk ndodhin këtu ka diçka që nuk shkon. Për mendimin tim nëse PD do të hyjë në zgjedhjet lokale nuk mund të bëhen të dyja, edhe protestat, edhe përgatitje për zgjedhje”, tha ndër të tjera në Report Tv, Erla Mëhilli.