Bota Basketbollistja Brittney Griner lirohet në këmbim të tregtarit rus të armëve, Victor...

Basketbollistja Brittney Griner lirohet në këmbim të tregtarit rus të armëve, Victor Bout

Brittney Griner

Rusia ka liruar yllin e basketbollit amerikan, Brittney Griner, në këmbim të lirimit nga Shtetet e Bashkuara të tregtarit famëkeq rus të armëve Viktor Bout.

Lajmin e konfirmoi në Twitter, presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.

“Ajo është e sigurt. Është në avion, duke u kthyer në shtëpi”, tha Biden në një postim në Twitter.

Presidenti Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris biseduan në telefon me zonjën Griner nga Zyra Ovale, tha një zyrtar amerikan.

Griner ishte arrestuar në aeroportin e Moskës në shkurt për posedim të vajit të kanabisit dhe muajin e kaluar u dërgua në një burg.

Administrata Biden në korrik propozoi këmbimin e të burgosurve, duke e ditur se Moska për një kohë të gjatë ka kërkuar lirimin e Boutit.

Ministria e Jashtme e Rusisë konfirmoi këmbimin e të burgosurve, që tha se ka ndodhur në aeroportin e Abu Dabit.

“Qytetari rus është kthyer në atdheun e tij”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.