Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Jose Borrel dhe komisioneri për zgjerimin Oliver Varhely u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në numërimin e votave të mos e pengojnë procesin. Partive politike u kërkohet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve garantojnë funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
“Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në procesin e numërimit të votave të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin efikas dhe demokratik të institucioneve në vend si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Borrel dhe Varheley bëjnë gjithashtu thirrje që çdo parregullsi të sinjalizohet tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet kompetente dhe që rastet, përfshirë pretendimet për blerje vote të hetohen. Duke ju referuar konstatimeve të OSBE/ODIHR, zyrtarët e BE, i cilësojnë zgjedhjet si të rregullta.
“Sipas zbulimeve fillestare dhe konkluzioneve të Misionin Vëzhgues të OSBE/ODHIR, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të mirëorganizuara ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor i reformuar, mbikëqyri procesin në mënyrë transparente. Vëzhguesit raportuan shqetësime të lidhura me keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”.
Në deklaratë thuhet më tej se periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re, nuk duhet të frenojë për implementimin e reformave të nevojshme.