Kuvendi i Shqipërisë filloi diskutimin për miratimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare të pazakontë, e cila do t’i japë të drejtë oficerëve nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Europian të veprojnë në territorin shqiptar “me kompetenca ekzekutive”. Marrëveshja, e cila u publikua në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, përcakton se oficerët do të mund të ushtrojnë kompetenca në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në raste të veçanta, Shqipëria mund t’i ngarkojë të veprojnë në emër të saj.
“Gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të tyre, anëtarët e ekipit do të autorizohen të përdorin forcën, duke përfshirë armët e shërbimit, municionin dhe pajisjet, me pëlqimin e Shtetit Anëtar të origjinës dhe Republikës së Shqipërisë,” thuhet në marrëveshje.
“Anëtarët e ekipit gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal i Republikës së Shqipërisë në kuadrin e akteve të kryera në ushtrimin e funksioneve zyrtare të anëtarit të përmbushura në përputhje me planin operacional,” shkruhet më tej në marrëveshje.
“Anëtarët e ekipit do të gëzojnë imunitet nga juridiksioni civil dhe administrativ i Republikës së Shqipërisë në lidhje me të gjitha veprimet e kryera prej tyre në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare sipas planit operacional,” vijon më tej marrëveshja.
Azilkërkuesit shqiptarë u kthyen në shqetësim të vazhdueshëm për disa vende Europiane në vitet 2015 e 2016, ku dhjetëramijëra shqiptarë dorëzuan aplikime për azil në vende të ndryshme, kryesisht Gjermani e Francë. Numri i kërkesave për azil ka rënë gjatë dy viteve të fundit, por shqetësimi vijon të mbetet për shumë vende anëtare.
Marrëveshja do të jetë në fuqi për një afat të pacaktuar.