Bota BE i premton Italisë çdo ndihmë kundër koronavirusit

BE i premton Italisë çdo ndihmë kundër koronavirusit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen premtoi sot çdo ndihmë të nevojshme për Italinë, vend anëtar i BE-së, më i prekuri nga pandemia e koronavirusit.

“Ne jemi shumë të gatshëm të ndihmojmë Italinë për gjithçka që do të ketë nevojë. Kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi ajo

“Ky vend është prekur rëndë nga koronavirusi. Prandaj do të plotësojmë të gjitha nevojat e tyre”, theksoi ajo në një konferencë për shtyp.

Nëntë ekspertë kinezë për koronavirusin dhe disa tone ndihma mbërritën dje në mbrëmje në Romë në bordin e një avioni special për t’i ardhur në ndihmë Italisë, vendi më i prekur në Europë nga koronavirusi, bënë të ditur sot burime aeroportuale.

BE kundër mbylljes së kufijve nga COVID-19

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen paralajmëroi sot kundër mbylljes së kufijve, vendosur nga disa vende të BE-së për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

“Ndalimet e udhëtimit të përgjithshëm nuk janë konsideruar si shumë efikase nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaroi shefja e ekzekutivit europian në një konference shtypi.

“Përveç kësaj, ato kanë pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, ato prishin jetën e njerëzve dhe të bizneseve,” shtoi ajo duke nënvizuar se të gjitha masat duhet të jenë proporcionale.

Drejtuesja gjermane kërkoi masa të kontrolleve sanitare.

“Këto mund të ndodhin në kufijtë e jashtëm të BE-së ose të brendshëm, ose në territorin e shteteve anëtare”, theksoi ajo.

Rekomandimet e BE për këtë çështje do t’i prezantohen 27 ministrave të Brendshëm, të mbledhur sot në Bruksel.