Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar vendimin e Bashkimit Europian që ka bllokuar hapjen e negociatave për vendet e Ballkanit.
Në një intervistë për “The Guardian“, Kurti theksoi se liderët e perëndimit i kanë harruar mësimet e dy luftërave botërore, në vend të kësaj janë tërhequr përballë fashizmit dhe populizmit.
Ai theksoi se qëndrimi i vendeve të BE mund të dëmtojë shanset e Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë, pasi sipas tij Beogradi ka më pak nxitje për të vepruar pa perspektivën e anëtarësimit në BE.
“BE u formua si një përgjigje ndaj fashizmit, por tani po frikësohet përballë populistëve dhe fashizmit”, tha Kurti për “The Guardian”.
Duke kritikuar Macron, ai thotë: “Ju nuk mund të thoni, se së pari ne kemi nevojë për reformë të brendshme në BE dhe më pas zgjerim të jashtëm, ato shkojnë paralelisht. Evropa është një projekt kaq i rëndësishëm historik saqë askush nuk mund të jetë autori i saj, duke e drejtuar apo udhëhequr atë.
Ne pamë se kur Jean-Claude Juncker tha që nuk do të kishte një zgjerim të mëtejshëm në pesë vitet e ardhshme, situata në Ballkan u përkeqësua. Po, BE është e rëndësishme për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë mirë këtë dhe është vërtet e trishtueshme, për të gjithë ne, që ata e harrojnë këtë. Pas disa dekadash, historianët do të shkruajnë se nuk kishte dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, dhe e gjitha filloi në Sarajevë.”