Kryesore BE sjell ndihmën e tretë në Shqipëri për luftën ndaj COVID-19

BE sjell ndihmën e tretë në Shqipëri për luftën ndaj COVID-19

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca i ka dorëzuar sot ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndihmë ne tretë të BE-së për të ndihmuar Shqipërinë që të rrisë kapacitetet e saj në luftën ndaj COVID-19.

“Bëhet fjalë për 100 shtretër reanimacioni, po ashtu edhe pajisje të tjera që do të ndihmojnë në këtë luftë, përfshirë këtu edhe 30 elektrokardiograma.  Më duhet t’ju them që këto janë disa nga pajisjet më të mira që ekzistojnë në treg dhe që janë blerë për t’u sjellë në Shqipëri, kjo për të ndihmuar Shqipërinë, sistemin shëndetësor por në veçanti ata që janë në vijën e parë, mjekët, infermierët sepse ne duhet ta vazhdojmë këtë luftë, kjo luftë nuk ka marrë fund ende”, tha Soreca.

Para disa ditësh mbërritën në Shqipëri 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e urgjencës kombëtare, 15 respiratorë transporti, si dhe një seri aparaturash jetë shpëtuese që forcojnë kapacitetet e reanimacioneve ne spitalet tona, pjesë e ndihmës prej 4 milion euro të Bashkimit Evropian për Shqipërinë për përballimin e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj tha se, bashkë me këtë ndihmë, spitalet do të rrisin kapacitetet e terapive intensive. Për situatën në spitale, ministrja tha se do të vijojë të sigurohen mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore si dhe terapitë e mjekimit për pacientët.

“Jemi duke fuqizuar në vazhdimësi kapacitetet tona testuese, kapacitetet tona në njësitë e terapisë intensive në spitale. Kemi rritur numrin e shtretërve në funksion të përballimit të rasteve që mund të shtohen, siç është spitali i ri me 100 shtretër kapacitet. Gjithashtu edhe një prej spitaleve në QSUT që është përshtatur për t’iu përgjigjur rasteve nëse do të kemi fluks të shtuar”, tha Manastirliu.