“Do të isha shumë i lumtur nëse Jurgen Klopp do të ishte trajneri i Bayern. Ai është një nga trajnerët që i mësoi Gjermanisë se si të luajnë shpejt futboll”. Ka qenë kjo deklarata e Franz Beckenbauer, që i ka “shkelur syrin” trajneri aktual të Liverpool, duke vlerësuar punën e bërë nga Klopp ndër vite. Legjenda e futbollit gjerman vlerësoi lojën e “reds” pas fitores që Liverpool arriti ndaj Bayern në Champions League.
Gjithsesi, ky vlerësim nuk ia ka prishur aspak mendjen trajnerit Klopp, që duket se ka të tjera plane për të ardhmen e tij. “Nuk ka legjendë më të madhe në Gjermani se Franz Becnkenbauer”, tha Klopp. “Për mua është kënaqësi që ai thotë të tilla fjalë, që vlerëson punën time. Është njësoj sikur një mbret të vendosë shpatën e tij në sup dhe të të quajë kalorës”, u shpreh më tej Jurgen Klopp.
“Nëse Franz mendon kështu, atëherë ky është një kompliment për Liverpool. Bayern ka bërë gjithçka shkëlqyeshëm në 10-15 vitet e fundit, pa bërë asnjë gabim. Gjithsesi, unë ndihem mirë këtu ku jam. Këtu kam shumë mundësi të zhvilloj lojën time dhe kam një ekip të mirë. Mund të them se jam trajneri më i mirë i mundshëm aktualisht për Liverpool”, tha Klopp.
Ai shpreson të fitojë titullin në Premier si dhe është kualifikuar me “reds” në çerekfinalet e Champions League.