Eurodeputeti dhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarë, Fredi Beleri zhvilloi për rreth dyzet minuta në Athinë një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Kreu i qeverisë greke tha se Shqipëria duhet t’i përmbahet rreptësisht angazhimeve evropiane.
“Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara. Kjo është ajo që duam edhe ne, dhe ju duhet ta dini përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë se unë qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke. Ne kemi gjithashtu çdo arsye për të kërkuar një Shqipëri që të përparojë në këto çështje, që të afrohet më shumë me Evropën, duke iu përmbajtur rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë.”
Greqia ka mbajtur deri tani të bllokuar hapjen e kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke këmbëngulur në zgjidhjen e çështjes Beleri.
Belerit ju dha leje 5 ditore për sjellje të mirë në burgun e Fierit nga drejtoria e burgjeve për të qenë fizikisht prezent në seancat e Parlamentit Evropian që nisin të martën në Strasburg, ku ai do të bëjë betimin si eurodeputet. Para mbërritjes në Athinë, Beleri u deklarua përsëri i pafajshëm.
Fredi Beleri: Herët a vonë dëshira e sovranit respektohet. Në 4 Gusht besoj se himariotët do të japin një përgjigje dhe dëshira e tyre do të respektohet dhe do të pasqyrohet tek rezultati i zgjedhjeve.
Para largimit drejt Strasburgut Beleri u prit si hero në aeroportin e Athinës me përqafime, duartrokitje dhe brohorima.
Në zgjedhjet europiane të 9 Qershorit Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i partisë së Kryeministrit Mitsotakis, “Demokracia e Re”. Pas dënimit nga gjykatat shqiptare me 2 vite burg për blereje te votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatit si kryetar bashkie në Himarë.
Presidenti Begaj shpalli zgjedhjet e pjesshme për kreun e kësaj bashkie më 4 Gusht të këtij viti zgjedhje ku deri tani janë paraqitur dy kandidatë, Vangjel Tavo për qeverinë dhe Petro Gjikuria nga opozita.