Kryesore Berisha: Nesër paraqesim në KQZ dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhje

Berisha: Nesër paraqesim në KQZ dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhje

Sali Berisha tha këtë të shtunë se ditën e nesërme Partia Demokratike do të depozitojë në KQZ dokumentet për t’u regjistruar në zgjedhje e 14 Majit. Vendimin e Apelit ripërsëriti se do ta çojë deri në gjykatën ndërkombëtare, ndërsa tha se, sa kohë nuk është bërë rekursi, vendimi i gjykatës së faktit mbetet në fuqi.

“Në diskutimet e bëra në kryesi dhe grupe më të ngushta është arritur në përfundimin se vendimi i Apelit është një histori turpi që nuk mund të pranohet kurrë, ndaj dhe sapo të zbardhet në do të bëjmë rekurs, në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe në Gjykatat Europiane të të Drejtave të Njeriut. Do të bëjmë rekurs sepse që nga Roma antike e deri më sot, ku ka sunduar ligji kurrë nuk është bërë palë në një gjyq, ai që nuk ka qenë palë dhe së fundmi ai që në sallën e gjyqit deklaroi se nuk ishte palë. Palë pra ishte Edi Rama me Edlira Kokonën që e kishte përdorur si postiere për letrat dhe këto. Vetëkuptohet, nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrim. Vendimi i gjykatës deri sa të vendosë gjykata më e lartë, sepse ky vendim është plotësisht i rikursueshëm në natyrën e tij”.

“Por ka një arsye tjetër po kaq të fortë. Kodi Zgjedhor në nenin 64, pika 2, b; përcakton që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të Partisë, adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij. Në deklaratën e tij se nuk do të blejë vota, nuk ka parashikuar se kryetari është i blerë vetë. Se çfarë ndodh? Edi Rama e mban dhe Lulzim Basha në një akt vetëposhtërimi të paimagjinueshëm, pasi e detyruan deputetët të japë dorëheqjen dhe e dha dorëheqjen, që nga marsi e deri më tani, tani i thotë Edi Rama që nuk ke dhënë dorëheqjen, je kryetar dhe e ngarkon me detyrë, meqenëse banaliteti shkon gjer në qiell, po u paraqite ti si kryetar, vetëm për të emëruar Enkelejdin kryetar. Për të autorizuar Enkelejdin në emrin tënd, Alibashën në emrin e tij. Kjo është skema”.

“Unë besoj se KQZ-ja nuk do të pranojë kurrë një gjë të tillë. Them se do t’i përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do të lozë me një procedurë të tillë, e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrim të tyre, pa filluar. Ndaj dhe ne do të paraqesim të gjithë dokumentet për regjistrim në KQZ, siç na takon. Dorëzojmë edhe vendimin, i cili në kohën që nuk është bërë rekursi, është në fuqi plotësisht, vendimi i gjykatës së faktit. Normalisht duhet të jetë i vetmi vendim, nuk shqyrtohen kurrë në Apel këto vendime”.

Deklaratat, Berisha i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, ku theksoi se gjykatësit e Apelit lexuan një ditë më parë shkresën e përgatitur nga zyra e kryeministrit Edi Rama. Berisha theksoi se në asnjë vend të lirë vendimi i regjistrimit të partive nuk ka apelim. Për kreun e PD, vendimi i djeshëm është dëshmia më flagrante e frikës së tmerrshme që e ka kapur sipas tij Ramën nga PD.

Gjykata e Apelit vendosi të premten të kthejë për rigjykim në Shkallë të Parë, çështjen e vulës dhe logos së Partisë Demokratike.