Për ish-Kryeministrin Sali Berisha, nëse ka një gjë që Fatos Nano duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve është që i la pas Edi Ramën.
Nga studio e “Opinion”, Berisha tha se “midis malinjitetit të Edi Ramës dhe moskokëçarjes dhe mungesës së përgjegjësisë së Fatos Nanos, për këtë vend njëmijë herë më e dëmshme është keqësia, vesi, hajnia dhe të gjithat e Edi Ramës, sesa defektet e Fatos Nanos”.
“Fatos Nano, 53 vjeç dha dorëheqjen si Kryeministër dha dorëheqjen nga partia dhe e mori Edi Ramën, i bëri gjëmën vendit me të. Nëse ka një gjë për të cilën Fatos Nano gjithë jetën e tij duhet t’i kërkojë të falur shqiptarëve është njeriu që la prapa“, u shpreh ish-Kryeministri.
Dekoratë për Ramën? Berisha: Do t’i premtoja një ngjalë
Për premtimin që bëri Presidenti Ilir Meta për të dekoruar Kryeministrin Edi Rama me Urdhrin e Skënderbeut nëse hapen negociatat me Bashkimin Europian, Sali Berisha ka një sugjerim tjetër.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-Kryeministri tha se do t’i premtonte ngjalë nëse do të ishte në vend të Ilir Metës.
Megjithëse, u shpreh i bindur se Rama nuk do të marrë asnjë dekoratë pasi nuk do të hapen negociatat ose do të hapen me kushte.
Blendi Fevziu: Jeni dakord që nëse hapen negociatat të dekorohet me Urdhrin e Skënderbeut, Edi Rama?
Sali Berisha: Edi Rama mori një dekoratë nga Aleksandar Vuçiç, urdhrin e Esat Toptanit. Ai mund të marrë një dekoratë tjetër, Urdhrin e Zografit.
Blendi Fevziu: Do bashkoheshit ju me Presidentin për t’ia dhënë me zemër këtë titull po të merrte hapjen e negociatave?
Sali Berisha: Po nuk merr ai. Nuk e merr. E merr me kushte. E merr siç ishte tjetra.
Blendi Fevziu: Dekoratën do ia jepni apo jo?
Sali Berisha: Kujt?
Blendi Fevziu: Ramës! Po hapi negociatat. Domethënë ja jep Presidenti, ju me zemër a do ta mbështesni?
Sali Berisha: Tani, në fakt të kisha qenë në vend të Ilir Metës i premtoja një ngjalë dhe jo një dekoratë. Ngjalë, kaq meriton.
Blendi Fevziu: Ngjalën e hëngrën njëherë ata.