Kryesore Berisha: Protesta e 11 shkurtit nuk do jetë e vetmja

Berisha: Protesta e 11 shkurtit nuk do jetë e vetmja

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar pasditen e sotme takim me kryetarët e degëve të kësaj force politike.

Berisha u shpreh se misioni i Partisë Demokratike është largimi i Edi Ramës nga pushteti, që sipas tij me zhvillimet e fundit është bërë akoma më i domosdoshëm. Ai theksoi se protesta e 11 shkurtit nuk do të jetë e vetmja.

“Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë, ku para gjithë shqiptarëve është bërë përfundimisht e qartë se Edi Rama të cilin ne me të drejtë, me fakte e argument e kemi shpallur prej kohësh armik të lirisë, votës, qenies sonë. Faktohet se nga viti 2017 gjer sot ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip, pa asnjë normë e vlerë morale ka punuar fshehtas dhe haptaz për shkatërrimin e opozitës në Shqipëri. Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar për faqen e zezë të tij dhe të atyren individë ndër më të fuqishmit në tokë në fushën e sigurisë siç është rasti i McGonigal.

Ky akt i turpshëm, armiqësor ndaj vendit të madh të lirisë, që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për lirinë del jashtë çdo lloj imagjinimi që bëhet vetëm nga armiqtë e SHBA-së. E vërteta është se midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka bërë McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimet e Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme.

Por ajo çka ne si forcë politike pro-perëndimore na bie si detyrë largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu që në abuzimin e tij, në thikën pas shpine që iu futi marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm. Largimi i tij është i domosdoshëm për të distancuar çdo shqiptar nga ky individ që nuk ngurron të kryejë aktet më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi më të madh.

Prova e demokratëve është e madhe, mision që do shpëtojë Shqipërinë. Çdo ditë që Rama është në pushtet është dramë, turp për çdo shqiptar. PD do ngrihet në këmbë e tëra gjer në largimin e tij nga pushteti, ne në takimet e tjera kemi diskutuar bashkë dhe kemi përcaktuar si mision largimin e Ramës për t’ju rikthyer votën shqiptarëve. Ky është qëllimi më madhor por me zhvillimet e reja largimi bëhet dy herë më imperative. Revolta në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo. Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar, koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë, ndërkohë ne bashkërendojmë dhe bëjmë çdo përpjekje për 14 Majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Ne kemi nisur betejën në parlament, kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti.

Ne do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo. Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ndërkohë ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së me 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Pra, detyrë jo e lehtë, por absolutisht e realizueshme. Jam i bindur se në këtë mision, PD do të fitojë, opozita shqiptare do të fitojë”, tha Berisha.

Sakaq, Berisha iu ka kërkuar demokratëve që në protestën e 11 shkurtit të mobilizohen si asnjëherë më parë.

“Koha është krejt tjetër, koha ka ndryshuar, në kuptimin që jo vetëm protesta e planifikuar që duhet të ketë përgjigjen më maksimale, me datën 11 shkurt duhet të mobilizohet çdo demokrat e demokrate. Duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë, për protestën në Tiranë. Tirana gjithashtu duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës. Por ne jemi në revoltë, jemi në protestë, ky është revolucion”, theksoi Berisha.