Sali Berisha, pas referendumit me rezultat plebishitar që kërkoi shkarkimin e Lulzim Bashës, pranoi se Partia Demokratike “ka kaluar krizën e saj më të thellë, i kemi rikthyer standardet e lirisë”.
Berisha duke shpallur pothuajse 44 mijë anëtarët që votuan referendumin, tha se ato të atij që cilëson si Anti Kuvend, janë mashtrim. “Mos besoni numrat, se ju them se në statistikat e tyre nuk ka asgjë të saktë. E patë sot çfarë ndodhi në Anti Kuvendin e tyre, numrin ja u kapen mediat dhe vendosën të falsifikojnë numrin e karrigeve në Pallatin e Kongreseve, duke publikuar shifra të paimagjinueshme”.
Berisha shtoi se “revolucioni po saktëson gjithçka, ftoj deputetët e PD-së të marrë listën dhe të kontrollojë një për një anëtarësime që ka votuar dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura. Të mos sillen si njerëz pa vizion, kam pas vlerësim për disa nga to si zyrtarë, por tjetër është të jesh zyrtar, e tjetër gjykimi si politikanë. Deputeti është i detyruar të gjykojë politikisht, të mos bëhen instrumenta të një skenari të turpshëm, jo vetëm i Shqipërisë”.
Ish-kryeministri pati një paralajmërim edhe për kryeministrin Edi Rama, ndërsa ftoi kryetarët e degëve, “edhe ato të emëruar nga Lul Brava, të heqin dorë dhe mos të bashkëpunojnë në skenarë që nuk do të pengojnë kurrë revolucionin, edhe pse mund të prodhojnë situata të paparashikueshme. Ky është skenar destabilizues për vendin. I them Ramës që këtë revolucion nuk mund ta mposhtë, më këtë që po bën”.