Për zgjidhjen e krizës politike, gjatë muajit qershor ka patur tentativa për negociata nga Gjermania. Kështu ka deklaruar ish-Kryeministri Sali Berisha i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
I pyetur nga gazetarët nëse ka aktualisht negociata për marrëveshje, Berisha mohoi që të ketë, por zbuloi se dy palë negociata gjatë qershorit me iniciativë nga pala gjermane, janë refuzuar nga Kryeministri Edi Rama.
“Nuk di të ketë filluar asnjë marrëveshje, asnjë negociatë. Nuk di, mund të ketë. U bënë tentativa. Dy herë i ka refuzuar Edi Rama. I ka refuzuar gjatë Qershorit. Janë bërë nga gjermanët. Dy herë janë refuzuar“, deklaroi Sali Berisha në “Opinion”.
Reforma zgjedhore, Berisha: Jam për sistemin proporcional
Reforma e thellë zgjedhore shihet si zgjidhja për daljen nga kriza politike që ka kapur vendin prej disa muajsh.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-Kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetari Mentor Kikia se cili sistem do të zgjidhë krizën politike përfundimisht në Shqipëri.
Berisha tha se preferon sistemin proporcional, që është aktualisht. Ish-Kryeministri mbrojti edhe e vitit 2008 me Edi Ramën, kur ky i fundit ishte kryetar opozite në atë kohë.
“Thellë-thellë në shpirt, unë absolutisht jam për proporcional, nuk jam për atë të hapurin. Më i drejtë proporcionali është. Nuk jam penduar për marrëveshjen e 2008, sepse këta po e demonizojnë. E ka Spanja, e ka Greqia, e kanë disa vende. Të jesh i bindur që lista e hapur ta bën Parlamentin dhomë tregtie, minimumi”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.