Kryesore Berisha zbulon si kandidatët e primareve do të futen në garë në...

Berisha zbulon si kandidatët e primareve do të futen në garë në zgjedhjet lokale

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të hënë se kandidatët e dalë nga primaret do të hyjnë në zgjedhjet lokale në koalicion.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se PD e ka tashmë një koalicion të parë me Partinë e Lirisë, e cila është zotuar të mbështesë të gjithë kandidatët e Rithemelimit të dalë nga primaret.

Sakaq, ai shtoi se zhvillimet e reja në lidhje me përbërjen e koalicionit do të publikohen ditën e martë.

“Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje në koalicion. Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do të njohë zhvillime të reja dhe do të komunikohen nesër zhvillimet e reja. Koalicioni është tmerri i Edi Ramës, ai është i tmerruar nga këto zgjedhje, pasi urdhëroi gjykatësit pa moral të shkelmojnë ligjet”, tha Berisha.

Ai bëri një paralelizëm letrar me kryeveprën e Gogolit për çështjen gjyqësore që e ndan me palën e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

“Njohja e Alibashës me autorizimin e një të dorëhequri, ekziston në një formë të ngjashme vetëm te Shpirtrat e Vdekur të Çiçikovit. Nuk ka në historinë e botës një autorizim të vlefshëm. Këto janë testamente të njerëzve pa moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme.

Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet të regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Askush asnjëherë në këtë vend nuk ka vënë kurrë në dyshim deklaratën e dorëheqjes, siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën”.

Sipas tij, “këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës. Pikërisht sepse ka lepurin në bark, kombinoi me McGonigalin me fustan, e cila në shkelje të të gjitha parimeve të vendit të saj dhe këtij vendi, u angazhuan në mënyrën më korruptive kundër Partisë Demokratike. Rama dhe Kim, të dy me mekanizmin McGonigal, do të dështojnë siç dështoi ai”.