Bota Berlini, barrë për Gjermaninë

Berlini, barrë për Gjermaninë

Sipas një studimi të Institutit të Ekonomisë Gjermane dhe të dhënave të Eurostatit Berlini është barrë për Gjermaninë.

Për shkak të Berlinit Gjermania paraqitet ekonomikisht më dobët se vende të tjera. Pa Berlinin prodhimi i brendshëm bruto i Gjermanisë për frymë popullsie do të ishte 0,2 përqind më i lartë, thuhet në një studim të Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW).

Krejt ndryshe është gjendja në vende të tjera të BE-së. Kryeqytetet atje luajnë një rol të spikatur në ekonominë e vendit dhe rrisin prodhimin ekonomik për frymë popullsie.

Nga vendet e analizuara në studim del se Greqia është më e varur nga kryeqyteti i saj. Pa Athinën, ekonomia e vendit do të tkurrej me gati 19 përqind. Franca do të ishte gati 16 përqind më e varfër pa Parisin, ekonomia e Danimarkës do të ishte 14 përqind më e dobët pa Kopenhagën.

Berlini është më tepër kryeqendra e festave se sa kryeqendra ekonomike e Gjermanisë

Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW) e shpjegon pozicionin relativisht të dobët të Berlinit me historinë e tij: Gjermania është e organizuar në mënyrë federale dhe për këtë arsye ka shumë qendra ekonomike të forta si Mynihu, Frankfurti apo Hamburgu. “Dhe në fakt ky është një avantazh ekonomik për Gjermaninë”, thotë ekonomisti i IW-së dhe analisti i të dhënave Henry Goecke për portalin T-Online.

Arsyet e mëtejshme për prodhimin e brendshëm bruto relativisht të ulët për frymë popullsie në Berlin janë edhe mosha mesatare e ulët dhe shkalla e papunësisë, e cila është mbi mesataren kombëtare.