Bes Kallaku njihet si aktor humori, por ka eksperimentuar edhe në zhanre të tjera, si muzika. Së fundi po ndjek gjurmët e Ermal Mamaqit, duke punuar për një film. Duhet kujtuar se pikëtakimet e tij nuk kanë munguar edhe me futbollin, teksa federime zyrtare ka pasur me Mamurrasin dhe Korabin. Një njeri “polivalent”, që ka shumë ndjekës në Instagram. Pikërisht nga aty ka lëshuar “bombën” e radhës: “Franck Ribery pranon të luajë për Laçin”!
Ai ka pozuar me futbollistin e njohur francez, që këtë sezon po luan me Fiorentinën në Serie A. Duke qenë se ndodhet në Itali për filmin e tij të parë “Falco”, “Gjini” ka shfrytëzuar rastin të ketë një kujtim edhe me Ribery. Bashkë me foton, që e ka hedhur në rrjetet sociale, aktori i humorit shkruan: “Do ta marr tek ekipi i Laçit”. Më pas, duke iu përgjigjur një komenti të lënë në postimin e tij, Besi thotë me humor: “Ia kthyem kasafortën e shpisë dhe pranoi të luante për Laçin”. Një qasje prej “skifteri” kjo e Kallakut, rol me të cilin identifikohej te “Portokallia”.