Pasojat e pandemisë koronavirus janë të ashpra, të tilla duhet të jenë dhe masat për të frenuar përhapjen e saj.
Mbrojtja Civile në Itali ka aktivizuar programin evropian të vëzhgimit satelitor, “Copernicus”, për të shënjuar strukturat e përkujdesjes shëndetësore dhe pikat e grumbullimit të qytetarëve. Synimi është të monitorohet territori dhe aktivitetet e ndryshme në hapësirat publike gjatë emergjencës COVID-19.
Njoftimi erdhi nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç. Vendimi është shtyrë kryesisht nga numri i lartë i atyre që kanë shkelur rregullat e karantinës. Vetëm gjatë fundjavës, në Itali janë gjobitur më shumë se 20 mijë persona nga forcat e rendit, të cilët nuk respektuan masat e qeverisë. Gjithashtu, autoritetet kanë kontrolluar dhe bizneset ku janë sanksionuar 115 administratorë, ndërsa 24 kompani janë urdhëruar që të mbyllin aktivitetin.
#Italy‘s Civil Protection @DPCgov has activated @CopernicusEU to map temporary health facilities as well as gathering areas in order to have a clear understanding of the territory for the subsequent monitoring of activities and public spaces during the #COVID19 emergency. 🇮🇹🇪🇺 pic.twitter.com/zI7J1zSVxJ
— Janez Lenarčič (@JanezLenarcic) April 6, 2020
Kjo situatë ka dëmtuar rëndë dhe industrinë e turizmit në vendin fqinj. Ky sektor vlerëson humbje për të paktën 120 miliardë euro. Ekspertët këshillojnë qeverinë që të fokusohet te turizmi për të rinisur ekonominë italiane në përfundim të emergjencës pandemike të koronavirusit.