Në 25 mars, Greqia dhe Qipro shënojnë fillimin e luftës së pavarësisë kundër Perandorisë Otomane, por në 2020 festimet që sjell kjo ditë ishin shumë të vakëta në krahasim me ato të viteve të tjera.
Sot, nuk u mbajt as marshi ushtarak e as parada tradicionale e nxënësve që mbajnë në duar flamurin grek.
Në vend të tyre, ishte një avion ushtarak dhe një paradë e vogël, e cila u mbajt në Kastanie, një qytet pranë kufirit me Turqinë. Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou vendosi një kurorë me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Sheshin Sintagma në Athinë.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se mungesa e festimeve këtë vit nuk do të thotë që Greqia nuk po e përkujton ditën e tyre kombëtare.
“Ne nuk do e festojmë 25 marsin nëpër rrugë e sheshe, por do e nderojmë këtë ditë nga shtëpitë tona, me flamuj që vërviten ndërsa mendimet tona në këtë ditë shkojnë për luftën e paraardhësve tanë për liri”, tha Mitsotakis.
Ai gjithashtu nderoi “heronjtë e bluzave të bardha dhe të gjelbra”, stafin mjekësor që ndodhet në frontin e luftës kundër coronavirusit në vend.
“Sot ne u japim forcë atyre dhe po dëgjojmë këshillat e tyre: ne nuk do të dalim jashtë, ne do të qëndrojmë në shtëpi!”.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, Greqia numëron 743 raste të konfirmuara dhe 20 viktima nga koronavirusi, nga një popullsi prej afro 11 milionë banorësh.
Që nga e hëna, vendi ndodhet në shtetrrethim dhe banorët duhet të justifikojnë arsyet për lëvizjet e tyre.
Lufta e Pavarësisë ka ndodhur midis 1821 dhe 1830, pas këtij konflikti Greqia, me mbështetjen e Britanisë, Francës dhe Rusisë, arriti të bëhej një shtet i pavarur.