Kryesore Biden fiton rekord votash: Jam optimist për përfundimin

Biden fiton rekord votash: Jam optimist për përfundimin

Biden fiton numrin më të madh të votave në historinë e zgjedhjeve presidenciale të SHBA, por ende kokë më kokë me presidentin Trump

Joe Biden tashmë mban rekordin për numrin më të madh të votave të marra ndonjëherë nga një kandidat presidencial në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë kjo nuk përkthehet në një fitore të sigurt për shkak të sistemit amerikane të votimit.

Kandidati demokrat ia ka kaluar edhe ish-presidentit Barack Obama i cili mbante rekordin e mëparshëm me 69,498,516 vota gjatë zgjedhjeve në 2008.

Aktualisht Biden ka 69,551,307 vota.

Në 2016, Hillary Clinton fitoi votën popullore me 65,853,514 vota, rreth 3 milionë më shumë se Trump, i cili fitoi zgjedhjet pasi mori më shumë vota të Kolegjit Elektoral.

“Jam optimist për përfundimin”

Kandidati demokrat Joe Biden, ashtu sikurse Donald Trump, ka përcjellë tek mbështetësit mendimet dhe qëndrimet momentale për vazhdueshmërinë e procesit të hapjes së kutive të votave.

Nëse presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vetëshpallur fitoren, Joe Biden më modest është shprehur se ndihet vërtet optimist për rezultatin e votave presidenciale. Gjithashtu ai hodhi idenë, se procesi I numërimit të votave dhe shpallja përfundimtare e fituesit që do të mbajë për katër vitet e ardhshme postin e presidentit, mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

“Jam këtu për t’iu thënë, se jemi në rrugën drejt fitores. Si pasojë e votimeve të hershme dhe me postë, ky proces mund të zgjasë. Ne duhet të tregohemi të duruar derisa procesi I numërimit të mbarojë. Asgjë nuk përfundon derisa të numërohet çdo votë dhe fletë votimi. Ne ndihemi mirë për pozicionin që kemi arritur deri tani”, tha Joe Biden.

Kandidati demokrat momentalisht është në avantazh, si dhe po fiton shtetet kyç të Uiskonsin, Miçigan dhe Nevada. Nëse Biden merr votat elektorale të këtyre shteteve, atëherë fitorja e tij do të jetë e sigurt. Megjithatë fitorja e votave në Florida nga Donald Trump dhe avantazhi në shtetin e Pensilvanisë mund të përmbysë shifrat e deri tanishme.

“Nuk më takon mua apo Donald Trump, të vendosë se kush I ka fituar këto zgjedhje. Kjo varet nga qytetarët amerikanë. Megjithatë jam optimist për përfundimin”, tha Biden.

Në mënyrë që njëri nga kandidatët të fitojë zgjedhjet presidenciale të 2020, duhet që njëri të arrijë të marrë 270 vota nga Kolegji Elektoral.