Mali i Zi që ishte ndër vendet e pakta të pa infektuar nga koronavirusi duket se ka “rënë” përball CoVid-19.
Autoritetet kanë raportuar për dy rastet e para me koronavirusin e ri. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri, Dushko Markoviç. Mali i Zi ka qenë vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që deri më tani nuk ishte prekur nga koronavirusi.
Ndërkohë, Italia ka tashmë një të tretën e vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19 në botë.
Gjatë pasdites së të martës, Roma konfirmoi 345 viktima të tjera duke e çuar numrin në total në mbi 2,500.
Shifrat e vdekjeve në rang botëror për shkak të koronavirus janë rreth 7,800.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Italisë tha se janë paraqitur 3,500 raste të reja dhe se pavijoni i terapisë intensive në spitalin e Bergamos kishte arritur kapacitetin maksimal, qytetit të goditur më fort në rajonin e Lombardisë.
Pas Japonisë, Italia e cila renditet në vend të dytë për popullsinë më të vjetër, është tronditur nga një virus i cili duket se është edhe më vdekjeprurës për të moshuarit.
Edhe pse i gjithë vendi është vendosur në karantinë, numri i rasteve të reja nuk është ulur.
Franca mori masa izoluese gjatë së martës, duke iu bashkuar Spanjës fqinje.
Në Mbretërinë e Bashkuar janë shtuar 400 raste të reja në vetëm 24 orë, ndërsa kryeministri i ka bërë thirrje britanikëve që të mbajnë distancë nga njëri-tjetri dhe të shmangin lokalet, restorantet dhe klubet e natës.
Por ndryshe nga vendet e tjera në Europë, ato qëndrojnë të hapura, ashtu si edhe shkollat.