Shëndet A do të ndihmojë pranvera në zhdukjen e pandemisë? Ja çfarë thonë...

A do të ndihmojë pranvera në zhdukjen e pandemisë? Ja çfarë thonë mjekët

Shkencëtarë të ndryshëm në botë ndajnë mendime të ndryshme përsa i takon efektit që do të kenë temperaturat e larta kundër virusit korona. Mjeku i njohur pneumolog në Shqipëri, Perlat Kapisyzi, i ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi sqaroi:

“Shpresat janë, por shpresat nuk janë që të presim ishallah po ngrohet koha. Teoria e ngrohjes se kohës është si ajo që o zot më ndihmo të më bjerë llotaria dhe Zoti tha bli njëherë biletë pastaj ta shohim. E njëjta gjë, temperaturat mund ti presim, por nqs ne do jemi të kujdesshëm dhe të fortë në vendimmarrje, kjo përsa i përket kufizimit dhe distancimit social dhe gjurmimit te rasteve. Sigurisht dhe higjienës personale“.

Doktor Kapisyzi shtoi se çelësi i suksesit kundër koronavirusit është distancimi social dhe higjiena personale.

“Rruga respiratore është rruga kryesore e përhapjes, pra me spërklat e pështymës, prandaj distancimi social dhe higjiena personale të dyja këto bashkë janë masa të domosdoshme për të thyer zinxhirin e përhapjes së këtij infeksioni“.

Por a duhet distacim edhe brenda murave të shtëpisë?

“Covid ka një përqasje biologjikisht ndryshe nga gripi, ai të lë pesë ditë ta përhapësh, të kesh kontakte për të infektuar. Ndërsa gripi të lë dy ditë. Nëse rrini 5 ditë me njerëzit e shtëpisë dhe ditën e 6-të personi ka shenja këto 5 ditë janë ditë që mund të kenë infektuar njerëzit e shtëpisë. E vetmja mënyrë është vetizolimi, nuk duhet të ketë panik. Dëgjoj që thonë kam dalë pozitiv, çfarë të bëj me prindërit. Atëherë do rrish i izoluar me maskë, dhe ata me maskë gjithashtu dhe në pritje për simptomat”, tha Kapisyzi në Përballë.