Bota Bilanci dramatik në Itali: 133 viktima nga koronavirusi vetëm sot

Bilanci dramatik në Itali: 133 viktima nga koronavirusi vetëm sot

Rëndohet bilanci i viktimave nga koronavirusi në Itali.

Numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 366, ndërsa vetëm këtë të diel janë shënuar mbi 1.326 të infektuar, duke e cuar numrin total në 6.387 të prekur. Ndërkohë, janë kuruar 622 persona.

Komisioneri i Emergjencës, Angelo Borrelli tha në një konferencë për shtyp se: “Jemi duke nënshkruar një seri kontratash që nga 12 marsi deri më 30 prill që do të na vënë në dispozicion 22 milionë maska kirurgjikale”.

Kryeministri Giuseppe Conte firmosi të shtunën një dekret që izolon krejtësisht zonën e Lombardisë dhe 14 provinca, të cilat, deri në 3 prill nuk do të ketë grumbullime publike, si dhe nuk do të funksionojnë teatrot, muzetë, shërbimet kishtare, këndet e lojrave, diskotekat etj. Ata që nuk i zbatojnë këto rregulla duke u përpjekur për t’u larguar nga “Zona e Kuqe”, do të përfundojnë në pranga.

Në të gjithë botën, shënohen 3,802 viktima dhe 109,632 të prekur. Pas Kinës, aty ku shpërtheu edhe virusi, vendi i dytë në botë me numrin më të lartë të vdekjeve regjistrohet Italia.

Kina numëron rreth 3000 viktima, ndërkohë që pas Italisë më shumë viktima ka regjistruar Irani (194) dhe Koreja e Jugut (50).

Ndërkohë, përsa i përket numrit të të prekurve, Italia renditet në vendin e katërt, pas Kinës, Koresë së Jugut dhe Iranit.