Gazeta më e madhe gjermane, BILD, njofton se në orën gjashtë të mëngjesit, forcat speciale kanë nisur një operacion kundër mafias shqiptare. Komandot speciale e kanë nisur operacionin në rajonin e Oberhauzenit.
Qëllimi i policëve elitarë, të armatosur rëndë, është mafia shqiptare e drogës, shkruan gazeta.
“Me tokmakë dhe sharra elektrike, ata kanë hapur dyert me shpejtësi. Të dyshuarit nuk kishin asnjë shans për të reaguar”, shkruan gazeta. Qëllimi i policisë ishte që të siguronte prova të bollshme.
Deri më tani thuhet se janë tetë të arrestuar. Policia thotë se ka siguruar të paktën tre kg drogë.
“Se si ranë hetuesit në gjurmët e mafias shqiptare, kjo nuk sqarohet. Por gjithçka mund të ketë lidhje me dy therje me thikë në këtë rajon gjatë javëve të fundit. Mendohet se ato erdhën si shkak i përplasjes mes shpërndarësve të drogës”, shkruan gazeta.