Bota Bill Gates na paralajmëroi 5 vite më parë: Nëse ka diçka që...

Bill Gates na paralajmëroi 5 vite më parë: Nëse ka diçka që do të vrasë miliona njerëz, janë viruset

Në një nga fjalimet e tij publike në “TED”, mesa duket CEO i Microsoft, Bill Gates, e kishte parashikuar ekzaktësisht se çfarë do të ndodhte në dekadat e ardhshme. Sipas Gates, në temën e rrezikut që mund t’i kanoset globit, ai shihte si më të rrezikshme mikrobet sesa armët bërthamor.

“Nëse ka diçka që mund të vrasë më shumë se 10 milionë njerëz në dekadat e ardhme, ka më shumë gjasa që të jetë një virus me përhapje të gjerë, se sa një armë bërthamore. Jo raketa, por mikrobe. Ne kemi investuar shumë në armët bërthamore, por shumë pak në një sistem që do të mundte të ndalonte një epidemi. Ne nuk jemi gati për epideminë e radhës”, thoshte ai.

Në këtë diskutim, Gates, duke iu referuar Ebolës (të cilin thotë se e ka analizuar), del në përfundimin se problemi nuk qëndronte në faktin që sistemi nuk funksionoi, por në faktin që ne as nuk e kishim një sistem.

“Ne nuk patëm një grup epidemiologësh të gatshëm që të shkonin dhe të shihnin si ishte sëmundja, si u përhap. Mbështetjet për rastet vinin nga mediat. Një epidemi e tillë duhet të kishte me mijëra punonjës. Atje nuk ishte askush që mund të kërkonte për një trajtim. Askush që të përpiqej të gjente se çfarë duhej bërë. Për shembull ne mund të kishim marrë plazmën e të mbijetuarve, ta përpunonim dhe ta injektonim tek personat e shëndetshëm për t’i mbrojtur. Por kjo nuk u provua kurrë”, tha Gates.