Partia Bindja Demokratike është regjistruar edhe në KQZ, duke qenë kështu zyrtarisht në garë për betejën vendore të 30 qershorit.
Kërkesa për regjistrimin e partisë së koordinuar nga Astrit Patozi, u votua me 4 vota pro dhe një kundër.
Kundër regjistrimit ka qenë kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Bindja Demokratike u regjistrua një ditë më parë edhe në Gjykatën e Tiranës.
Koordinatori Astrit Patozi ka reaguar pas regjistrimit në KQZ.
“Duke falenderuar edhe një herë të gjithë ata që e bënë të mundur finalizimin e këtij projekti politik, që nga firmëtarët, e deri tek mbështetësit e parë të saj, ne angazhohemi solemnisht për një fushatë modeste, të vendosur dhe qytetare, por mbi të gjitha për një rezultat dinjitoz më 30 qershor.
Me këtë rast, ne ftojmë çdo qytetar të këtij vendi, që mendon se Shqipëria po qeveriset keq e mos më keq për shkak të një sistemi të kalbur politik për t’iu bashkuar projektit tonë.
“Bindja Demokratike” do të jetë shtëpia e lirisë, porta e hapur për çdo shqiptar që beson tek vlerat dhe tek fuqia e saj.
Ndaj ne pa humbur asnjë sekondë kohë shpallim sot fushatën kombëtare të anëtarësimeve në “Bindjen Demokratike”, e cila nuk do të pengojë përgatitjet tona për të shkuar në zgjedhje me kandidatë dhe lista këshilltarësh në të gjitha bashkitë e vendit”, shkruan Patozi në rrjetet sociale.