Profesor Et’hem Ruka, biolog në profesion, ka publikuar disa të dhëna lidhur me ecurinë e përhapjes së Covid-19 në Shqipëri.
Sipas parashikimit të tij, nëse ecet me këtë ritëm, pandemia mund të shuhet pas dy javësh.
Ai nënvizon ne faqen e tij “Facebook” se, përqindja e të sëmurëve ka ardhur gradualisht duke rënë, ndërsa kurba e të shëruarve po rritet.
“Pika kritike u arrit me 12 prill kur përqindja e të sëmurëve dhe ajo e të shëruarve u bë 50% me 50%. Pas kësaj date % e të shëruarve fillon të behet me e madhe se ajo e të sëmurëve. Ritmi i përmirësimit luhatet nga 2%-3% për çdo dite. Kjo do të thotë se teorikisht nëse do të ecet me këtë ritëm, pandemia duhet të shuhet pas 2 javësh. Ky është vetëm një parashikim teorik nisur nga ecuria e kubave të paktën për javën e fundit. I gjithë ky model përmbyset nëse nuk vazhdohet ky sistem karantinimi”, shkruan ai.
Ndërsa duke analizuar rastet e sotme, Ruka thotë se situata pësoi regres. “Numri i të shëruarve u paksua me 1% ne raport me ditën e djeshme, ndërsa ai i te infektuarve u rrit po me 1%. Kjo situatë u krijua nga rritja e numrit të të infektuarve me 19 raste të reja. Rezultatet e sotme janë të ndryshme nga ato të tre katër ditëve të fundit të cilat shënuan përmirësim gradual. Po ashtu bilanci i viktimave arriti në 25”, shkruan profesor Ruka.